Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se bashkëpunimi kulturor me shtetin e Francës ka marr një dimension të ri dhe dinamikë të shtuar me vizitën gjashtë ditore të përfaqësuesve të rajonit Hauts-de-France në Kosovë.
Çeku në postimin e tij në Facebook ka thënë se profesionistë të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore nga Franca, kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e institucioneve dhe skenës së pavarur dhe kanë zhvilluar vizita në asete të trashëgimisë kulturore me potencial për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.
Bashkëpunimi kulturor i nisur me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëprodhim kinematografik dhe projektet e zhvilluara në fushën e arkeologjisë, do të vazhdojë me hapa tjerë konkret, në veçanti duke nxitur bashkëpunimin nga fusha e artit bashkëkohor, muzeologjisë dhe kinematografisë.
Vizita filloi me Konferencën për Politikat publike në Francë, ku u prezantua përvoja franceze e zhvillimit të politikave kulturore. Ditët në vijim delegacionet zhvilluan takime dhe vizita në institucionet e arsimit të lartë në Prishtinë dhe Prizren, me akterët e skenës së pavarur kulturore, për të vazhduar në lokacionet e Bienales Nomade Manifesta 14, Kalanë e Novobërdës dhe shfaqjen në teatrin ODA, për të shijuar jetën e pasur kulturore në Kosovë.






