Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 106 të Qeverisë ka bërë thirrje qytetarëve serb që të mos bojkotojnë dhe të mos braktisin institucionet.
Kurti ka thënë se ne jemi Qeveri e përgjegjshme, e të gjithëve, kundër kriminelëve, e përkushtuar për zhvillim, për integrim, për barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim dhe pa diskriminim.
Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë. Aleate e zotuar e paqes. Partnere e besueshme e miqve të saj.
Punësim dhe drejtësi; është platforma në të cilën ne kemi garuar para qytetarëve dhe që është shndërruar në paradigmën e qeverisjes sonë.
Punësim nëpërmjet investimeve dhe rritjes ekonomike. Drejtësi nëpërmjet sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Njëra për tjetrën janë parakushte.
Sundimin e ligjit e kemi përgjegjësi programore por edhe obligim institucional. Ne duam sundim të ligjit, sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje. është detyrim sepse mungesa e tij është kërcënim për të gjithë, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë, presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.
Ai ka shtuar se problemi i tyre nuk janë vendimet tona, ss afatet që parashihen në to, 1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin.
Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata të cilëve po u pengon ligjshmëria e kushtetushmëria, luftimi i kriminaliteti dhe i korrupsionit në vendin tonë, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë, aleate e zotuar e paqes, partnere e besueshme e miqve të saj.
Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë edhe të paqes. Ato janë vlera dhe orientimi i yni i përbashkët me partnerët dhe miqtë tanë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.




