Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se çmimet janë rritur, por bashkë me çmimet, shumica e bizneseve kanë rritur edhe fitimet. Andaj është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë të kenë fitim, pra punëtorët, sidomos tani kur jeta është bërë më e vështirë si rezultat i çmimeve më të larta.
Murati në postimin e tij në Facebook ka thënë se për ta bërë më të lehtë, Qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme.
Secili biznes që ka rritur pagat e punëtorëve nga shtatori e këtej, dhe dëshiron të përfitojë nga mbështetja e qeverisë, mund të aplikojë në platformën EDI deri më 20 dhjetor.






