Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se në mesin e vendimeve të Qeverisë u votuan edhe dy Projektligje të rëndësishme në fushën e arsimit, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve, në Kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore nga MASHTI dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor. Që të dyja këto marrëveshje janë nënshkruar më 3 nëntor 2022 në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nagavci në postimin e saj në Facebook ka thënë se me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, u mundësohet qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës.
Ndërkaq, me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda Rajonit.
Miratimi i të dyja këtyre marrëveshjeve është shumë i rëndësishëm për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe përmes tyre do të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë tanë dhe profesionistët.






