Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se një koleksion prej 18 mineralesh dhe kristalesh të gjetura në Stantërg të Mitrovicës, janë pjesë e ekspozitës së hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Muzeun Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve – Trepça.
“Udhëtimi frymëzues i minatorëve”, me autor Driton Avdiun, pasqyron kontributin e minatorëve të Trepçës në shtetndërtim dhe pasuritë e mëdha të artefakteve natyrore që ka Kosova.
Kjo ekspozitë, e përkrahur nga MKRS, është hapur në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe për nder të “Javës së Minatorëve”.
Këto kristale e minerale të bukura të nxjerra nga nëntoka, muzeu do t’i mbajë të ekspozuara deri me 24 shkurt, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.






