Build Skills with our trainings

Sign up now!

Presidentja Osmani pranon letër urimi nga Presidentët e shteteve mike për 15-vjetorin e Pavarësisë

Shk 16, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidentët e shteteve mike, të Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë ku kanë uruar 15 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron ka thënë se Franca mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për forcimin e sundimit të ligjit, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka thënë se Gjermania është partnere e besueshme e Kosovës, Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore ka thënë se pret me padurim vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve dhe presidenti i Italisë, Sergio Mattarella ka uruar që propozimi evropian për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të mund të pranohet, thuhet në komunikatën për media e Zyrë së Presidentes.

 

Presidenti Macron e uron presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë, Franca mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për forcimin e sundimit të ligjit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron.

“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor […] Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka thënë Presidenti Macron.

Ndër të tjera, Presidenti Macron ka bërë thirrje për forcim të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që ta lehtësojë integrimin evropian, duke thënë se mund të llogaris në përkrahjen e Francës.

 

Presidentja Osmani pranon letër urimi nga presidenti Steinmeier: Gjermania është partnere e besueshme e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.

Në letrën e tij, presidenti Stenimeier ka përmendur angazhimin e Kosovës për vlera evropiane dhe në këtë kontekst ka vlerësuar partneritetin në raport me luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

“Jam i lumtur që vitin e kaluar gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Berlin me nënshkrimin e tre marrëveshjeve rajonale të mobilitetit mundëm të arrijmë një sukses dhe të hedhim një hap të mirë përpara për krijimin Tregut të Përbashkët Rajonal domethënës për zhvillimin ekonomik të rajonit. Qëllim i përbashkët i Kosovës dhe Gjermanisë mbetet integrimi i vendit tuaj në bashkësinë ndërkombëtare. Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Kosovës”, ka theksuar në letër presidenti Steinmeier.

Sipas tij, dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE mbetet një sfidë thelbësore për vendin për normalizimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve.

“Gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së. Në këtë rrugë Ju mund të jeni të sigurt që e keni mbështetjen e Gjermanisë si partnere e besueshme e Kosovës”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Steinmeier dërguar Presidentes Osmani.

 

 

Presidentja Osmani pranon letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë nga Mbreti Charles III

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë nga Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

“Dëshiroj t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë të veçantë për vendin tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë. Pres me padurim vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve tona, gjersa po përballemi me këto kohë sfiduese”, thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

 

Presidentja Osmani pranon letër urimi në 15-vjetorin e pavarësisë nga presidenti italian Sergio Mattarella

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

Në letrën e tij, presidenti Mattarella ka uruar presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve.

“Konteksti aktual evropian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Mattarella.

 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM