Build Skills with our trainings

Sign up now!

UNFPA: Dita Botërore e Popullsisë

Kor 11, 2022

Popullsia globale parashikohet të arrijë në 8 miliardë njerëz më 15 nëntor 2022, sipas Raportit për Perspektivat e Popullsisë Botërore 2022 të publikuar sot nga Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Sociale i Kombeve të Bashkuara. Arritja e këtij momenti historik është njëkohësisht arsye për kremtim por dhe kushtrim për njerëzimin që të gjejë zgjidhje për sfidat me të cilat përballemi.

Sfidat me të cilat përballet njerëzimi janë akute: këto çështje që përcaktojnë fatin e gjeneratave, siç janë ndryshimet klimatike, konfliktet dhe COVID-19, po i prekin në mënyrë disproporcionale më të margjinalizuarit dhe më të cenuarit mes nesh. Ende sot, miliona njerëz vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe vuajnë nga uria dhe kequshqyerja, nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor dhe mbrojtje sociale, dhe nuk u jepen mundësi të kryejnë arsim fillor dhe të mesëm cilësor. Grave anembanë botës ende u mohohet e drejta themelore që të marrin vendime për trupat dhe të ardhmen e tyre, dhe në shumë vende po shohim me shqetësim humbjen përparimit në të drejtat e grave.

Përkundër këtyre sfidave, tregimi si arritëm deri në 8 miliardë njerëz është histori triumfi. Kemi ulur varfërinë dhe kemi arritur përparime të jashtëzakonshme në kujdesin shëndetësor. Jemi më shumë njerëz se kurrë më parë, pjesërisht për shkak të rritjes së jetëgjatësisë dhe rënies së vdekshmërisë foshnjore dhe të lehonave.

“Kjo është storje suksesi, jo skenar për fundin e botës. Në këtë botë, përkundër sfidave, gjithnjë e më shumë njerëz janë të arsimuar dhe jetojnë jetë më të shëndetshme se në çdo moment të mëparshëm të historisë së njerëzimit,” tha Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA-sa, Dr. Natalia Kanem. “Nëse fokusohemi ekskluzivisht në totalin e popullsisë dhe shkallën e rritjes, nuk do kuptojmë plotësisht situatën, dhe kjo shpesh çon në masa shtrënguese dhe kundërproduktive, si dhe gërryerje të të drejtave të njeriut. Në fakt, njerëzit janë zgjidhja, jo problemi. Përvoja tregon se investimi te njerëzit, në të drejtat dhe zgjedhjet e tyre, është rruga drejt shoqërive paqësore, të begata dhe të qëndrueshme.”

Teksa i afrohemi nëntorit të vitit 2022, UNFPA-ja do të punojë me partnerët dhe komunitetet tona që ta shfrytëzojmë fuqinë e 8 miliardë njerëzve si pjesë e misionit tonë për të arritur objektivat e përcaktuara në vitin 1994 në Programin e Veprimit të ICPD-së. Duke mbrojtur të drejtat dhe zgjedhjet e të gjithë njerëzve për jetë të shëndetshme dhe të fuqizuar, njerëzimi ka në dorë çelësin që e çliron potencialin e pakufizuar të njerëzve në mbarë botën për t’i adresuar sfidat që kërcënojnë shoqëritë e tyre dhe problemet globale që na rrezikojnë të gjithëve.

Nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim – ka shumë shembuj solidariteti dhe heroizmi individual, dhe na duhet të punojmë të gjithë së bashku për të adresuar varfërinë, diskriminimin, dhunën dhe përjashtimin, si dhe barrierat e tjera që ua mohojnë miliona njerëzve në mbarë botën të drejtat dhe zgjedhjet e tyre.

Ky moment kërkon vizion dhe veprim. Për popullsinë, qeveritë mund të ndjekin politika që përqendrohen tek njeriu dhe bazohen tek të drejtat seksuale dhe riprodhuese. Sektori privat mund të zhvillojë zgjidhje kreative, duke shfrytëzuar fuqinë e inovacionit dhe teknologjisë për të mirën globale. Artistët dhe njerëzit krijues në mbarë botën mund ta përdorin zgjuarsinë dhe talentin e tyre që të na frymëzojnë dhe të na ndihmojnë ta imagjinojmë premtimin që ofron një botë prej 8 miliardë banorësh.

Së bashku, ne përfaqësojmë mundësi të pafundme për veprim, rritje dhe ndryshim. Krijimi i një bote më të drejtë dhe më të qëndrueshme kërkon që bota të nxitet të përparojë drejt të drejtave dhe mundësive të barabarta për secilin dhe për të gjithë.

Gjetjet kyçe të Perspektivave të Popullsisë Botërore 2022:

  1. Popullsia e botës parashikohet të arrijë kulmin prej rreth 10.4 miliardë njerëzve gjatë viteve 2080 dhe të mbetet në atë nivel deri në vitin 2100.

○       U deshën rreth 12 vjet për t’u shtuar nga 7 në 8 miliardë, afërsisht po aq kohë sa u desh për kalimin nga 6 në 7 miliardë. Për miliardin e ardhshëm pritet të duhen përafërsisht 14.5 vjet (2037).

  1. Gjysma e miliardit të tetë të shtuar në popullsinë botërore ishte rezultat i zgjerimit demografik në Azi.  Afrika dha kontributin e dytë më të madh (pothuajse 400 milionë).

○       10 vende kontribuuan me më shumë se gjysmën e shtimit të popullsisë nga miliardi i shtatë në të tetin. India ishte dukshëm vendi me kontributin më të madh, pasuar nga Kina dhe Nigeria.

○       Afrika dhe Azia do të kryesojnë rritjen e popullsisë derisa të arrihet miliardi i nëntë në vitin 2037.

  1. Sot, dy të tretat e popullsisë globale jeton në vende ose zona ku fertiliteti gjatë gjithë jetës është nën 2.1 lindje për grua (i njohur edhe si fertilitet zëvendësues).

○       Jetëgjatësia globale në lindje arriti në 72.8 vjet në vitin 2019, duke u përmirësuar për gati 9 vjet që nga viti 1990. Por në vitin 2021, jetëgjatësia për vendet më pak të zhvilluara mbeti 7 vjet pas mesatares globale.

○       Në shumë vende në zhvillim ka ardhur duke u rritur pjesa e popullsisë në moshë pune (midis 25 dhe 64 vjeç), thuhet në komunikatën për media e UNFPA në Kosovë.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM