Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Kosovës “Shota” sërish afirmoi vlerat e mirëfillta kulturore kombëtare në koncertin “Festojmë Pavarësinë” që mbushi sallën përplot.
Gjatë koncertit “Festojmë Pavarësinë”, mjeshtërisht u luajtën vallja e Dibrës me koreograf Zeki Kastrati, vallja Çame nga Panajot Kanaçi dhe Vallja Festive e koreografit Fehmi Shaqiri, teksa këngë patriotike u interpretuan nga Violetë Kukaj, Liridon Sadriu, Saranda Aliaj dhe Majlinda Cikaqi.
Të gjitha këngët, vallet dhe kostumet popullore përcollën vlerat autoktone të kulturës e trashëgimisë sonë, duke zgjuar ndjenjën e atdhedashurisë tek gjithsecili në publik, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.






