Anëtarësimi i Finlandës në aleancën veri-atlantike shënon një hap të rëndësishëm për të stopuar përparimin e mëtutjeshëm të agresorit rus, si dhe edhe njëherë vërteton rëndësinë e ekzistimit të kësaj aleance ushtarake mes vendeve demokratike perëndimore për të garantuar se paqja, sovraniteti i shteteve dhe kombeve të mos cënohet në asnjë moment nga asnjë shtet me predispozita autokrate e pushtuese.
Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të ndjekë hapat e nevojshëm për fuqizimin e ushtrisë duke avancuar po ashtu bashkëpunimin në arenën ndërkombëtare me forcat e vendeve aleate.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se mirënjohja e Kosovës për NATO-n dhe vlerësimi i lartë që kemi për këtë aleancë është i lidhur pashkëputshëm me të kaluarën tonë historike, intervenimin e sukseshëm për të çliruar atdheun tonë.
Kjo mirënjohje tani është shndërruar në përkushtimin tonë maksimal që të ngrisim kapacitetet tona ushtarake për t’i shërbyer misionit të kësaj aleance duke qenë anëtar me të drejta të plota.
Trajnimet, ushtrimet e përbashkëta me forcat e partnerëve tanë strategjik do jenë edhe më të shumta përgjatë këtij viti, e po ashtu do të jemi sërish shtet nikoqir në ushtrimin më të madh ndërkombëtar Defender ’23, por kësaj rradhe duke marrë pjesë jo me 330 ushtarë por 1.365, sepse ne synojmë anëtarësimin në NATO, andaj në vazhdimësi FSK do të avancoj në aspektin profesional e operacional, për të kontribuar maksimalisht në misionin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë.
Evropa me anëtarësimin e Finlandës është më e sigurt se kurrë.
Rusia tashmë përballet me një kufi aleance prej 1300 km jo lehtë të kalueshëm dhe me një aleat tjetër të Ukrainës, shtet që po lufton stoikisht kundër invaduesit rus. Andaj vendimi për zgjerimin e kësaj aleance është i duhuri, masa e vetme për të mbrojtur civilizimin.






