Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj sot ka kujtuar 24 vjetorin e Betejës së Koshares, një prej momenteve më të lavdishme të luftës së popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se kujtojmë brigadën 138 me në krye heroin e kombit, dëshmorin Agim Ramadani, si dhe 100 të rënët e kësaj beteje, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ardhur nga treva të ndryshme që për asnjë moment nuk iu frikësuan armikut as vdekjes, ngase të guximshëm e stoik i mbante dashuria për atdheun dhe besimi i pashoq se duhet luftuar për lirinë e popullit e për tokën e trashëguar ndër breza.
Ishte pikërisht në këtë betejë e nga kjo brigadë që u largua kufiri i pakuptimtë ndërmjet shqiptarëve i imponuar nga pushtimi jugosllav, duke i bërë bashkë në këtë mënyrë fizikisht shqiptarët e të dyja anëve, vendasit e tokës ilire që i bashkon gjuha e tradita, e kaluara dhe e ardhmja, kombi që nuk njeh ndarje fizike ngase e pashkëputshme është lidhja emocionale për këto troje e për njëri-tjetrin.
Nderime për të gjithë të rënët e të plagosurit e kësaj beteje. Nderime për sakrificën e tyre dhe për veprën që si e gdhendur në gurë do të mbetet e pashlyer në memorien tonë e në historinë e kombit. Mirënjohës gjithmonë!
Lavdi!






