Ministria e Ekonomisë, ka njoftuar se minatorët e ngujuar në Minierën e Stantërgut, kanë dalë përmes ashensorit alternativ, ndërsa inxhinierët e Trepçës po punojnë për ta ndrequr ashensorin e stafit.
Zv/ministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku bashkë me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça” ShA, Enis Abdurrahmani dhe anëtarët e bordit mbikëqyrës ndodhen në hyrje të minierës.
Gjendja e minatorëve është e mirë.
Mjeku ka falënderuar xehetarët dhe inxhinierët e Trepçës për angazhimin e tyre në punë dhe ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për investime kapitale për të zëvendësuar makineritë e vjetruara.
Ekipi mjekësor i ndërmarrjes, ekipi emergjent i mjekësisë familjare dhe komandanti rajonal i policisë kanë qëndruar në vend të ngjarjes gjatë gjithë ditës, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Ekonomisë.






