Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se sot u bë një hap i madh përpara në bashkëpunimin e studiuesve tanë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademia e Studimeve Albanologjike e Shqipërisë ia nisin bashkëpunimit në katër drejtime me rëndësi.
Albanologjia dhe jo vetëm janë fusha për të cilat universitetet në Kosovë dhe Shqipëri duhet të kenë maksimumin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit shkencor e profesional.
Kryeministri Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se krahas marrëveshjeve që qeveritë tona i kanë në fushën e arsimit dhe në fushat e tjera, marrëveshjet dhe projektet e përbashkëta të universiteteve dhe profesionistëve në çdo fushë janë shumë të mirëpritura dhe të nevojshme.
Rektori Prof. Dr. Qerim Qerimi dhe Rektori Prof. Dr. Luan Përzhita u dakorduan që midis dy institucioneve të arsimit të lartë të punojnë për:
-Krijimin e grupeve të punës për hartimin e projekteve strategjike të përbashkëta në fushën e albanologjisë – përkatësisht në fushën e arkeologjisë, antropologjisë social- kulturore, historisë dhe atë të gjuhësisë.
-Ndërtimin e programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori, dhe të gjuhësisë.
-Krijimin e një platforme të përbashkët për shkëmbimin e stafit akademik në mes dy institucioneve.
-Hulumtime të përbashkëta për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.
Suksese profesorëve e studiuesve!
Së shpejti me nisma e projekte që jetësojnë synimet e përbashkëta.






