Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se deri më tani është realizuar 24 përqind e premtimit për 160 çerdhe, ndërsa ka theksuar synimin e Qeverisë që deri në fund të mandatit të realizohet plotësisht ky premtim madhor.
Në një konferencë për media, ministrja Nagavci ka folur për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, me ç’rast si një nga veprimet e para në këtë drejtim ka përmendur finalizimin e Ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme.
Ndërkaq, duke folur për zgjerimin e infrastrukturës fizike, ministrja Nagavci ka theksuar se ndërtimin e çerdheve e kemi fokusuar në tri drejtime: ndërtimin e çerdheve të reja në vendet ku kemi lokacionet dhe aspektet tjera formale të dërguara nga ana e komunave, adaptimin e objekteve ekzistuese në çerdhe të reja dhe ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara si model i ri.
“Këtu duhet të përmend se çerdhet e parafabrikuara janë trend gjithnjë e në rritje në botë, sepse janë në kuadër të Agjendës së gjelbërt, pra shkurtojnë dukshëm kohën e ndërtimit nga rreth 2 vite në 4 muaj”, tha ajo.
Ministrja Nagavci tha se, për dy vite qeverisje janë përfunduar 4 çerdhe të reja, në proces është ndërtimi i 19 çerdheve, e po ashtu në proces janë 5 adaptime nga shkolla në kopshte. Ndërkaq, ajo theksoi se në planifikim e sipër është edhe ndërtimi i 17 çerdheve, kurse projektet nga IPA II të kontraktuara nga BE janë në 6 komuna.
“Investimet tona po bëhen bazuar në evidencë dhe efektive ku fillimisht kemi zhvilluar dy procese me rëndësi në bashkëpunim me ekspertizat vendore e ndërkombëtare të partnerit tonë strategjik UNICEF”, tha ministrja Nagavci, ndërsa theksoi se procesi i parë është zhvillimi i instrumentit projektues, i cili mundëson vendimarrje të bazuar në të dhëna valide, komplekse dhe gjithëpërfshirëse dhe tjetri është finalizimi i studimit të fizibilitetit për çerdhet e parafabrikuara, modele që janë trend gjithnjë e në rritje në botë.
Në linjë me këtë, tha ministrja, na duhet bashkëpunim me komunat që të na i dërgojnë të gjitha të dhënat.
“Ftoj komunat për bashkëpunim në mënyrë që të gjithë fëmijëve të ju ofrohet qasje në edukimin e hershëm sepse kjo është faza me e rëndësishme për formimin e tyre dhe shumë shpejt do të kemi takime me kryetarë të komunave dhe drejtorë komunalë të arsimit që të intensifikojmë bashkëpunimin në këtë drejtim”.
“Me zhvillimin e modelit të projeksioneve të bazuar në evidencë dhe ofrimin e çerdheve modulare si alternativë shumë më e shpejtë e me kosto efektive, jemi të sigurtë se do të rrisim hovshëm infrastrukturën dhe do të mbajmë premtimin e dhënë”, tha në fund ministrja Nagavci.
Ministrja tha se sot pritet të publikohet në E-prokurimi shpallja për angazhimin e kompanisë projektuese që do të bëjë projektimin për çerdhet e parafabrikuara dhe ftoi kompanitë e interesuara që të bëhen pjesë e këtij procesi. Ndërsa, ajo theksoi se shumë shpejt do të hapet tenderi për ndërtimin edhe të 4 çerdheve në Prizren, Deçan, Viti dhe Obiliq, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.






