Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi që tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.
Kryministri Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Milenkovic – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.
Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.






