Liria e fjalës, liria e informimit dhe puna e papenguar e mediave janë vlera universale demokratike që ndërtohen mbi një themel të fuqishëm, mbi themelin e respektimit të të drejtave të njeriut në të gjitha vendet me një demokraci të përparuar dhe të konsoliduar si edhe të atyre demokracive që bëjnë përpjekje të fuqizohen përmes këtyre të drejtave. Publiku ka nevojë të informohet drejtë, në mënyrë objektive dhe profesionale për zhvillimet që përbëjnë interes për publikun ndërsa mediat janë përçuesi kryesor që ua siguron këto informata, në përputhje me mandatin dhe kodeksin profesional të vet medias.
Lufta e shpallur dhe e pashpallur kundër mediave asnjëherë nuk ka qenë e shëndetshme për asnjë qeveri, gjithmonë qeveritë kanë qenë palë të humbura. Madje, edhe në raste të mediave të dyshimta.
KMDLNj fuqishëm përkrahë lirinë e fjalës dhe pavarësinë e mediave, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut pa të cilat asnjë demokraci nuk do të kishte kuptim. Në këtë kontekst kërkon nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të mos ndikohet nga politika në marrje të një vendimi që dëmton lirinë e informimit dhe pavarësinë e mediave në përgjithësi kurse, në rastin konkret të Klan Kosoivës, në veçanti.
KMDLNj vlerëson se vendimi i MINT-it për heqje të licencës ndaj Klan Kosovës, me këtë shpejtësi dhe në rrethana të mjegulluara ligjore, është një sinjal që edhe KPM të veprojë si MINT e që do të përbënte ndërhyrje flagrante në fushën e informimit duke e rrezikuar, edhe lirinë e fjalës si dhe pavarësinë e mediave.
MINT- i, me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe në një atmosferë të territ informativ mori vendim që t’i heq licencën Televizionit KlanKosova me një arsyetim të paqëndrueshëm dhe të pambështetur në ligj që nënkupton legalizimin e përndjekjes, fillimisht të KlanKosova e pastaj edhe mediave tjera. Ky vendim u kundërshtua fuqishëm nga mediet tjera hiç këtu mediat e afërta me qeverinë sikur edhe shoqëria civile që ka krijuar raport klientelist me qeverinë.
Është e vërtetë se qeveria nuk mund të mbyllë asnjë medium përveç rasteve kur kemi shkelje të rënda ligjore dhe kur mediumi mbyllet me vendim të gjykatës. Në anën tjetër është një Komision i Pavarur i Mediave që ka mandat dhe përgjegjësi të vendosë rregull në fushëveprimin e mediave dhe se ka kapacitet ligjor edhe të mbyllë media që bien në kundërshtim me ligjin. Në rrethana normale ky Komision nuk mund të fajësohet për mbyllje të mediave nëse ky veprim është në përputhje me ligjin. Në rrethana të përpjekjeve për ushtrim ndikimi në këtë Komision nga politika dhe qeveria, pashmangshëm se një vendim i tillë duhet të kundërshtohet si i dyshimt dhe i imponuar.
KMDLNj thërret të gjitha mediat t’i përmbahen mandatit për një informim profesional, të drejtë dhe të pakorruptuar profesionalisht e që do të ishte garanti më i mirë se po e bëjnë punën mirë dhe se meritojnë të përkrahen, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.




