Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet në postimin në Facebook të Gjykatës Themelore të Prishtinës.




